Scroll to top
Share
en


Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit,Mëshirëbërësit!
Ngritja e teqesë së Shëmbërdhenjit, këtu e treqind vite të shkuar, mblodhi rreth mejdanit të saj, burra trima e patriotë, të cilët e shndërruan në një lëvizje unike, shprehjen e Haxhi Bektash Veliut kur thotë se “Është obligim si gjithë të tjerët, të mbrojmë vatanin kur e kërcënon rreziku”. Qysh nga themelimi i saj e deri në ditët tona, historiku i kësaj teqeje mbanë në vetvete emrat e një varg dervishësh dhe baballarësh, të cilët në kohërat kur jetuan e drejtuan teqenë, vunë edhe shpirtrat e tyre për kauzën e mirësisë bektashiane. Por sidoqoftë, teqeja e Shëmbërdhenjit, do të identifikohet gjatë, me njërin prej klerikëve më të shquar të sajë, me të urtin baba Meleqi, i cili ka qenë dhe mbetet ndër pionierët e lëvizjes autonomiste shqiptare, si dhe veprimtar i guximshëm në rrafsh të përpjekjeve për arsim!
Nuk duhet harruar, ndërhyrja e vetë dede Reshat Bardhit në vitin 1997,i cili vuri themelet në ringritjen e tyrbes dhe organizoi klerikë, myhibë dhe besimtarë në rregullimin e mjediseve të tjerë të  teqesë. Ai mundi brenda disa viteve ta kthejë këtë shtëpi të Haxhi Bektash Veliut në objekt të shenjtë adhurimi, ndërsa në vitin 2003, kompleksit të mrekullueshëm të Shëmërdhenjit, iu shtua edhe tyrbja me eshtrat e shenjtorëve tanë, të cilat, deri në atë kohë, preheshin në vende aspak të përshtatshëm.
Ardhja në këtë teqe e dervish Xhelal Resulit, me porosi të dede Reshatit, sigurisht që ndryshoi mjaft frymën shpirtërore që rrethon vendet e mira. Në arkivat e ringritjes së teqesë, do të shkruhet gjithmonë emri i Gramoz Ismailit (ndjesë pastë), i cili me dashurinë për tarikatin dhe traditën, hijeshoi dhe i dha kuptimin e vërtetë “Lisit të shenjtë”, duke nënkuptuar respektin e thellë për baballarët e urtë të kësaj teqeje.
Ndërkaq, ne u jemi mirënjohës besimtarëve: Manol Xhelili, Lefter Velçani, Met Peshku dhe të tjerë, të cilët edhe në këto kohëra të vështira që kalojmë, kanë dhënë kontributin e tyre financiar, duke dashur t’i rikthejnë Shëmbërdhenjit, lavdinë e dikurshme.

Jetë të gjatë e shëndet, vëllait tim, dervish
Xhelal Resulit!

Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!

Kryegjyshi Botëror Bektashian
Hirësia e Tij
Haxhi Dede Edmond Brahimaj

 

Related posts