Scroll to top
Share
en

Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirbërsit!

Të nderuar vëllezër të mij, klerikë dhe besimtarë bektashianë të Jugut të Shqipërisë!
Të nderuar klerikë, myhibanë dhe dashamirës të teqesë së Shtufit!
Si sot, 220 vite më parë, në atë kodër të vogël, por të bukur të Gjirokastrës ballë-përballë shtëpive të gurta, do të hidhte themelet e saj, teqeja e Shtufit, duke i shtuar një dimesion të ri, mozaikut të harmonisë fetare të qytetit. Ishte baba Hajdër Plaku, i cili, me frymën e shenjtërisë së tij, por edhe me ndihmën e qytetarëve  gjirokastritë, duke çelur themelet e  shtëpisë së Haxhi Bektash Veliut, çelte në të vërtet udhën e urtësisë dhe dashurisë të tarikatit tonë.
Vargu i baballarëve dhe dervishëve të kësaj teqeje, padyshim është i gjatë. Por në memorien historike të gjirokastritëve, sikundër edhe në historinë e bektashizmit do të mbeten gjatë emrat e baba  Hajdër Plakut, baba Selimit, baba Kapllanit, baba Bektashit, baba Ismailit, baba Sulejmanit etj, të cilët, në mënyrë të veçantë , bashkë me dritën e besimit në Zot, dijtën të shpërdanin dashurinë e pakufishme për kombin tonë. Jetët e tyre, janë faqe lavdie jo thjesht në memuarët  e bektashizmit botëror, por edhe shembuj frymëzimi në rrafshin atdhetarë.
E rrënuar tri herë, së pari prej turqve, së dyti prej grekërve dhe së treti prej regjimit ateist që kaluam. Teqeja e Shtufit po ringrihet sot me përkujdesjen tonë, të baba Skënder Dervishit, të qindra besimtarëve në Jugun e Shqipërisë. Lavdia e saj e dikurshme, jo vetëm që nuk u zbeh, por u ruajt dhe përcillet sot nga brezi në brez, me dashurinë që mëkon për Zotin, kombin, familjen, Shqipërinë tonë plot halle. Ajo po ringrihet sot, me atë  patos e frymë, si 220 vite më parë, sepse misioni i teqeve është i tillë: bashkim dhe vëllazërim midis shqiptarësh, unitet për t`u bërë ballë luftrave të kësaj bote.

Motra dhe vëllezër!
Dje muarëm lajmin e shumëpritur që teqeja e Shtufit u shpall “Monument Kulture.” Le të mbetet ndërkaq një monument i besnikërisë sonë në udhën e Haxhi Bektash Veliut, një monument i asaj dashurie që patëm për Zotin dhe për këtë teqe, edhe në ato kohra të vështira që kemi kaluar.
Nder dhe respekt për krejt dervishët dhe baballarët që shërbyen në teqenë e Shtufit!
Nder dhe respekt për krejt ata myhib dhe dashamirës që mbajtën të gjallë kujtimin e kësaj teqeje!

Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!

KRYEGJYSHI BOTËROR I BEKTASHINJVE
SHENJTËRIA E TIJ
HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ

Related posts