Scroll to top
Share
en

Bismilahi Rrahmani Rrahim!

Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirbërsit!

Të nderuar vëllezër të mi, klerikë, myhib dhe besimtarë bektashi kudo që jini anekënd botës!

Duke ju dhënë shpresë e bekime në këtë luftë ku është futur sot e gjithë bota, më lejoni t’iu kujtoj se në këtë ditë mblidhemi të gjithë së bashku me respekt të veçantë për jetën dhe veprën e Dede Kamber Prishtës, të cilat kanë vendin e tyre të çmuar në panteonin e Bektashizmit botëror.

I rritur dhe edukuar në mjediset e teqeve bektashiane të jugut të Shqipërisë, i mëkuar me frymën atdhetare dhe liridashëse, Dede Kamber Prishta do të bashkonte në mënyrën më unike traditën e baballarëve bektashianë të shekullit të 19-të me ata të shekullit të 20-të, duke përcjellë gjithmonë urtësinë proverbiale të Haxhi Bektash Veliut.
Me dijenitë e thella të tij mistike, por edhe me veprimin trimëror Dede Kamberi diti të mbjellë në zemrat e besimtarëve dashurinë për të dy botët, devocionin për besimin tek Zoti dhe përgjegjësinë për t’iu përgjigjur vatanit si rrallëkund në ato vite të vështira të pranisë në Shqipëri të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Dede Kamberi ishte jo vetëm përfaqësues në zë i klerikëve të jugut të Shqipërisë por edhe mik besnik dhe mbështetës i reformave të udhëhequra nga Sali Njazi Dede.
Qëndrimi i tij i prerë atdhetar, në vitet 1941-1944 do ti rezervonte më pas Dede Kamberit një klavar vuajtjesh pafund sikundër edhe qinda dervishëve, baballarëve dhe dashamirësve bektashinj në Shqipërinë post komuniste.
Nën akuza absurde, segmente të mekanizmave të diktaturës, e arrestuan Dede Kamberin tonë, duke dashur në këtë mënyrë të godisnin jo thjesht një klerik bektashian, por vetë këtë tarikat i cili kish rrezatuar vlera të shquara atdhetare.
Dede Kamber Prishta ndonëse ndërroi jetë në qelinë e burgut, ende sot mbetet dëshmor i lirisë së besimit, martir i demokracisë, simbol i klerikut që u sakrifikua në udhën e të Madhit Zot.
Nderim përjet veprës së tij!
Amin!

KRYEGJYSHI BOTËROR I BEKTASHINJVE
SHENJTËRIA E TIJ
HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ

Related posts