Scroll to top
Share
en

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, udhëhoqi ceremoninë dhe priti ambasadorë, krerët e besimeve ftarë dhe zyrtarë të lartë. Një grup poetësh organizuan bashkëbisedim pranë bustit të Naim Frashërit, u çel ekspozita e ‘Viti i Naimit’

Nga Naim Deraj

Qindra besimtarë dhe dashamirës të bektashizmit, që në orët e para të ditës së djeshme, ishin në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë, në ceremoninë tradicionale të Ashures, që u organizohet pas ditës së dhjetë të agjërimit të Matemit, në kujtim të  72 martirëve të Qerbelasë. Të gjitha aktivitetet e kësaj dite, nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ishin planifikuar, organizuar dhe u zbatuan në përputhje me të gjitha masat përkatëse të ruajtjes nga pandemia. Në ceremoninë përkatëse dhe në pritjen e organizuar nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, merrnin pjesë dhe Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar Bujar Spahiu, drejtues apo përfaqësues të komuniteteve të tjerë fetarë në Shqipëri, të tarikateve Kadri dhe Rufai, Bujar Harasani dhe Qemaledin Reka etj. Morën pjesë gjithashtu ambasadorë e përfaqësues të lartë diplomatik si ata francezë, Polonisë, Suedisë, Rusisë, Algjerisë, Kosovës etj. Po ashtu, ishin të pranishëm kryetarja e LSI- Monika Kryemadhi, deputetë dhe funksionarë të lartë të shtetit shqiptar. Krejt e veçantë qe pjesëmarrja në këtë ceremonial e një grupi poetësh e shkrimtarësh, të cilët promovuan ekspozita enkas për këtë ditë si dhe recituan krijime të tyre para bustit të Naim Frashërit. “Ishte një ditë e bukur, ditë e ngjeshur, ceremoniale dhe tejet interesante, ku aktiviteteve ceremoniale, iu shtuan dhe aktivitete të tjera si vizita në muze, bibliotekë, arkiv dhe mjedise të tjera të odeonit bektashian”- pohon mes të tjerave Nuri Çuni, Sekretar i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian

Aktori i njohur, Bujar Asqeriu, me interpretimin e pjesëve të “Qerbelasë” të Naim Frashërit, çeli ceremoninë. Në vazhdim, të pranishmit, i përshëndeti Kryegjyshi Botëror Bektshian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili, ndër të tjera tha: “Të nderuar vëllezër të mijë, klerikë dhe besimtarë bektashianë! Të nderuar përfaqësues të tarikateve të tjerë në Shqipëri! Ju falënderoj së pari që keni ardhur në këtë ceremoni modeste të ashures dhe më lejoni t’ju uroj fat e mbarësi në familjet tuaja! Zoti i Lartë, familja e ndritur e Ehli-Bejtit dhe shembulli sublim i Imam Hysenit, le të na udhëzojnë jetët tona në të dy botët! Ditët dhe  netët e matemit të këtij viti, sigurisht kanë qenë të pazakonta jo vetëm për ne, bektashinjtë e trevave shqiptare,  por për krejt besimtarët e këtij tarikati në të gjithë botën. Zija e matemit, jo rrallë u bashkua me dhimbjen e pikëllimin e njerëzve që humbën jetën nga kjo pandemi botërore, duke na shërbyer për t’i parë sa më realisht gjërat e përkohshme të kësaj bote, në këndvështrimin e  jetës së përtejshme. Duke kuvenduar me njeri-tjetrin rreth ngjarjeve të Hadikasë, duke hedhur dritë mbi ato ngjarje madhore që shekujt nuk i shuan dot,  duke u kujdesur plot dhimbshuri për të afërmit tanë të sëmurë, duke i dhënë kurajë  e falur dashuri njeri-tjetrit, tek e fundit, ne kemi dëshmuar se jemi më pranë mësimeve të Profetit Muhamed, paqja qoftë mbi ‘Të, të dymbëdhjetë Imamëve, të urtësisë së Haxhi Bektash Veliut, të dritës së armatës madhështore të dervishëve dhe baballarëve bektashianë. Me durimin për t’u bërë ballë sprovave të kësaj bote, me kurajën për t’u ringritur  edhe në kohëra të tilla të vështira për gjithë shoqërinë njerëzore, ne po ja dalim, se për asnjë tast nuk e kemi humbur dhe nuk do të humbasim besimin tek Zoti i Lartë, tek mëshira e rij universale, tek mirësitë që shpërndan ndër besimtarët, kudo në botë. Shpreh bindjen dhe besimin e  thellë, se ne do të arrimë shumë shpejt të mbushim teqetë tona me dritën e kuvendeve të dashurisë për njeri-tjetrin, për të afërmit tanë biologjikë apo shpirtërorë, për atdheun, i cili më shumë se kurrë, sot ka nevojë për kontributin e secilit prej nesh. Zoti ju bekoftë të gjithëve!”. Po Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, drejtoi ritet e ceremonisë në vazhdim.

Poetë dhe shkrimtar, bashkëbisedim tek busti i Naimit

Me mjaft interes dhe krejt origjinal, ishte aktiviteti i një grupi shkrimatrësh e artistësh të njohur, të cilët krahas ceremonisë, organizuan një bashkëbisedim rreth një orë, pranë bustit të kryebektashiut shqiptar, Naim Frashëri, të ulur në disa radhë në karrike në lulishten ku ndodhet ky bust. Kështu, Poetët Prof. Nasho Jorgaqi foli për ejtën dhe disa dokumente të reja për Naimin; , Prof Xhevat Lloshi, gjithashtu;  poeti Sadik Bejko recitoi poezi të tij tek busti Naimit; Përparim Hysi recitoi dy poezi të fundit të bëra në SHBA përkatësisht “Naimit” dhe “Dita e Novruzit”, Pandeli Koçi recitoi poezinë “Kushtuar Naimit të madh”; Riza Braholli recitoi dy poezi të Moikom Zeqos për Naimin; Izet Çulli, nga libri i tij kushtuar Naimit recitoi dy poezi etj… Në bashkëbisedim morën pjesë dhe shkrimtarët e publicistët , Çerçiz Loloçi,Vasil Premçi etj. Ndërsa Mehmet Gëzhilli organizoi ekspozitën “Viti i Naimit, 25 maj 2020-25 maj 2021), e cila u ndoq me mjaft interes. Njëkohësisht, gjatë ditës, u bënë vizita dhe në muze, bibliotekë, galerinë e odeonit etj.

Përgatiti faqen: K. Boriçi

SOM

“Dede Edmond Brahimaj: Me durimin për t’u bërë ballë sprovave të kësaj bote, me kurajën për t’u ringritur  edhe në kohëra të tilla të vështira për gjithë shoqërinë njerëzore, ne po ja dalim, se për asnjë tast nuk e kemi humbur dhe nuk do të humbasim besimin tek Zoti i Lartë, tek mëshira e rij universale, tek mirësitë që shpërndan ndër besimtarët, kudo në botë. Shpreh bindjen dhe besimin e  thellë, se ne do të arrimë shumë shpejt të mbushim teqetë tona me dritën e kuvendeve të dashurisë për njeri-tjetrin, për të afërmit tanë biologjikë apo shpirtërorë, për atdheun, i cili më shumë se kurrë, sot ka nevojë për kontributin e secilit prej nesh. Zoti ju bekoftë të gjithëve!”.

Related posts