Scroll to top
Share
en

Kryegjyshi  Botëror i Bektashinjëve, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj ka uruar ditën e sotme Festën e Sulltan Novruzit, duke dërguar dhe një mesazh për të gjithë besimtarët bektashinj. 

SULLTAN NEVRUZI

Dita e Nevruzit apo e quajtur ndryshe edhe dita e Sulltan Nevruzit shënon ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe. Në këtë ditë çdo gjë rigjallërohet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Nevruzi do të thotë “Dita e re” nga persishtja dhe Sulltan do të thotë “Mbret”, pra, Nevruzi Sulltan do të thotë “Mbret i gjithë ditëve”. E ka origjinën qysh herët. Në Shqipëri filloi të festohej që kur u përhap Bektashizmi në shekujt XIII. Për këtë festë poeti ynë i madh Bektashian Naim Frashëri ka thënë: “Sot është një ditë e re që përsëritet moti, lind vera, lind ngrohtësia, lind Aliu, lind vetë Zoti”. Kjo ditë ka një domethënie të veçantë për të gjithë besimtarët. Është dita e Imam Aliut, dhëndrit të profetit Muhamed, ai ka qënë krahu i djathtë i Profetit. Prandaj kjo festë për Bektashinjtë përfaqëson një ditë të shënuar dhe nga më të bekuarat të vitit. Ai ka lindur më 22 Mars, është një nga shenjtorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe është i pari i dymbëdhjetë Imamëve. Imam Aliu është i pari i besimtarëve i pajisur me dituri hyjnore nga vetë Profeti Muhammed (a.s.), i cili thotë: “Unë jam qyteti i diturisë dhe Aliu është porta e tij”; “Inteligjenca u pjesëtua në dhjetë pjesë: nëntë pjesë i ka Aliu, dhe një pjesë gjithë njerëzia” ose “Unë me Aliun jemi si Haruni me Musain”; “Kush do Alinë më ka dashur mua, kush më do mua, ka dashur Zotin, dhe kush urren Alinë, më ka urryer mua, kush më urren mua, ka urryer Zotin”. Prandaj me të drejtë u quajt prijës i besimtarëve, dijetarëve që bënë epokë të artë e që i dhanë njerëzimit mbarë dritë. Ai ishte njeriu i luftës për përparimin njerëzor. Ai përdorte bukur fjalën për çlirimin e shpëtimin njerëzor. Ai la pas tre parime: Shkallën e të menduarit, unitetin njerëzor, drejtësinë. Prandaj mbeti simbol i përhershëm i drejtësisë, sa Bektashinjtë betohen: Ja Muhamed -Ali! Në këtë ditë madhështore nis stina e pranverës, ekuinoksi pranveror, ku dita i merr natës dhe drita errësirës. Madje në një fragment të caktuar sekondi gjatë ndërrimit të orëve për mbërritjen e datës 22 Mars, të gjithë krijesat frymore ose jo, i falen Perëndisë sepse sot çdo gjë nis të marrë jetë e gjallëri. Dita nis me urimet më të mira për mbarësi, mirëqënie, paqe dhe dashuri. Në shekullin XX dhe në mënyrë të veçantë në mesin e tij, kjo festë është shndërruar në një manifestim mbarëkombëtar. Në Shqipëri Dita e Nevruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1992. Besimi Bektashian ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë. Bektashinjtë janë të përhapur edhe në Kosovë, Maqedoni si dhe në gjithë njerëzimin dhe ka institucione përfaqësimi në 31 shtete të tjera të botës.

Dita e Nevruzit festohet edhe në vende të tjera të botës myslimane në data që variojnë nga 20 deri më 26 Mars si: Afganistan, Azerbaixhan, Bullgari, Francë, Greqi, Gjeorgji, Gjermani, Kirgistan, Kosovë, Irak, Iran, Itali, Kazakistan, SHBA, Shqipëri, Taxhikistan, Turkmenistan, Turqi, Uzbekistan, Zvicër etj…

Related posts