Scroll to top
Share
en

Një nismë e përbashkët e Presidencës së Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadorit  të posaçëm të Departamenitit të Shtetit për liritë Fetare në SHBA,  kanë bërë të mundur sot bashkimin e përfaqesuesve më të lartë shtetar dhe fetar të ballkanit. Ideja e kësaj konference në substancë ishin kontekstet reale dhe sfidat të cilat përballet rajoni në kuptimin e ushtrimit të lirive Fetare. Pas përshendetjeve të Presidentit të Republikes Z. ILIR META ambasadorit Brownback  i Departamentit të shtetit Amerikan si të liderave të tjerë shtetarë e mori fjalën kryegjyshi Botërore i Bektashinjeve Hiresia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj i cili tha:

Të mbetemi model të vëllazërisë fetare

I  Nderuar President i Shqipërisë, Shkëlqesia Juaj, Ilir Meta!
I nderuar Ambasadori Amerikan për lirinë e fesë, Sam Brownback!
Të nderuar vëllezër të mijë, lider të feve dhe besimeve në Shqipëri!
Të nderuar të pranishëm!
Është fat dhe krenari që jam i pranishëm në konferencën me temë “Feja si instrument për paqen” , sepse “Feja është mëndja, kush s’ka mend s’ka fe”dhe më lejoni t’u sjellë urimet  dhe përgëzimet e miliona besimtarëve bektashinj nga Azia në Europë, nga Australia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Zoti i lartë na ndihmoftë të gjithëve, duke na ndriçuar udhët me dritën e Tij, duke na dhuruar nga dija, urtësia dhe begatia e Tij!
Përgjatë rrjedhave shekullore, historia njerëzore ka dëshmuar veç të tjerave, se në çdo etapë të sajë që nga lindja, ajo ka bashkudhëtuar me besimin pagan apo bestyt, i vërtetë apo jo i tillë, ky besim është përcaktuar prej konteksteve historikë-gjeografikë, duke qenë në çdo rast, në krah të sistemeve apo modeleve moralë dhe shpirtëror të caktuar.  Parë si domosdoshmëri ekzistenciale që në krijimin e botës njerëzore, besimi ka pasur e do të ketë vendin e vet të merituar në çdo kohë.  Fryma që e ka shtresëzuar këtë dimension njerëzor që në krijimin e njeriut, mbetet pa më të voglin dyshim, ajo e Krijuesit të botëve.
Pa dashur të futem në historinë fetare, mendoj se çdo njeri, fillimisht  ka përqendruar perceptimin e tij  rreth kërkimeve mbi botën lëndore , duke ndjekur instiktivisht modelet paraardhëse. Por gjatë këtij udhëtimi, duke ardhur në standardet e e habitshëm të zhvillimit të qytetëruar, atij sigurisht i është dashur të manifestojë tiparet e mrekullueshme njerëzorë për të zbuluar format e fshehura të dukurive të rëndësishme, sepse është krijesa më e përsosur sa u përket dijeve.  Dhe në këto procese evolutivë, ka qenë kurdoherë e pranishme ndjenja e devocionit ndaj Krijuesit, e sendërtuar nga një botë jashtlëndore, nga një mesazh pothuaj hyjnor.
Në mënyrë të veçantë, , në ditët e sotme, përditë e më shumë, gjendet e pambrojtur prej prirjeve sekullariste, indiferencës së globalizmit, venitjes së solidaritetit njerëzor si dhe tentativave që harmonia e mrekullueshme e natyrës të vihet në kontroll të plotë të makinerive teknike, duke mohuar Krijuesin e saj. 
Fatkeqësisht, feve dhe besimeve u vishen sot, etiketime nga më të ndryshmit,  nga më të frikshmit, a thua se janë këta që nxitin luftëra, që shkaktojnë valë dhune dhe terrori, që janë bartës të demonëve, të lindur për të dërguar këtë botë nga njëra luftë vëllavrasëse, në tjetrën.
Paradoksalisht, ndikimi i medies në këtë qerthull të hatashëm të përzierjes së steriotipeve kulturorë dhe identitarë, të mesazheve historikë të ardhur prej kryqëzatave, të dramave njerëzore gjoja për shkak të rrugëve të tyre transhedentale ka qenë në kahje të kundërt  me sinqeritetin dhe mëshirën substanciale të fesë. Në të vërtetë, nga vetë Krijuesi ynë i Vetëm, nga gjithë librat e shenjtë, nga poetët dhe apostujt e të gjithë kohërave, ne kemi marrë e transmetuar vetëm frymën e shenjtë, arsyet për optimizëm, qëndrimin e denjë përballë çdo njeriu, pavarësisht ngjyrës. Krijuesi i solli ngjyrat për buqetën erëmirë dhe jo për antagonizma të verbër.
Të nderuar të pranishëm!
Besoj se ndajmë të gjithë këtu, mendimin që vëllazëria fetare në Shqipëri ka qenë dhe mbetet një xhevahir i rrallë në kontekstet historikë të Ballkanit dhe më gjerë. Këtë e kemi provuar jo thjeshtë me ato mesazhe të respektit e dashurisë njerëzore të shfaqur në shekuj, por sidomos në standardet  shpirtërorë ku atdheu dhe besimi u konsideruan të pandashëm dhe krejt unik në udhëtimin e tyre në kohë. Askush nga oazet e paqes tek ne, as synitë, as katolikët, as të krishterët ortodoks dhe as bektashinjtë, në asnjë moment të bashkëjetesës nuk kemi deklaruar pronësinë ekskluzive të së vërtetës, të bindur se e vërteta e vetme i takon vetëm Krijuesit dhe Ai, përpara çdo dasie apo mërie ka parapëlqyer unitetin. Në indin kulturor të besimtarëve shqiptar, kjo aksiomë është ngulitur thellë.
Modeli i përkryer fetar i yni, shkëlqeu sidomos në vitet e obskurantizmit më të rëndë, 1967-1990, kur diktatura më e egër e Europës Lindore, bëri ç’është e mundur të zëvendësonte shenjtërinë  e Krijuesit, gjoja me shenjtërinë e partisë-shtet, sipas modeleve më antinjerëzorë në histori. Edhe në këto kushte, kur qindra klerikë të katër besimeve fetarë  tradicionalë në Shqipëri, u internuan, u burgosën dhe u vranë, besimtarët tanë askurrë nuk e humbën shpresën tek Zoti i Lartë. Janë me qindra shembuj vetëmohimi deri në sakrificë, kur fshehurazi nëpër shkollat e Krujës shpërndahej ashurja e bektashinjve, nëpër shtëpitë tiranase shpërndahej hallva në netët e mira dhe vezët e ngjyra të krishterëve shpërndaheshin anë e kënd vendit në ditët e pashkëve. Ky solidaritet i fshehtë njerëzor, mundi të perceptohet vetëm prej ndjenjave të ngarkuara me dashurinë hyjnore.
Gjej rastin të sjellë në këtë fjalë, shembullin e shkëlqyer të dy Liderve Botërorë të bektashizmit, dede Ahmet Myftarit dhe dede Reshat Bardhit, të cilët u internuan në një teqe të braktisur dhe të rrënuar në fshatin Drizar të Mallakastrës, vetëm e vetëm pse nuk u pajtuan me masat që merrte shteti i kohës, për zhdukjen e fesë. Ata, me devocionin dhe me besimin e palëkundur tek Zoti, e shndërruan teqenë e Drizarit në vendin e prehjes shpirtërore për besimtarët bektashianë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova e Maqedonia Veriore. Sakrifica e tyre ka qenë dhe mbetet unike në krejt historinë fetare të Shqipërisë.
Me po atë frymë shenjtërie dhe atdhetarie, të dy këta lider bektashianë, në qerthullin e rreziqeve më të mëdha, vijuan misionin fisnik të mbajtjes gjallë të besimit të Haxhi Bektash Veliut, duke mbajtur gjallë në të vërtetë shpresat e mijëra besimtarëve bektashianë. Ata ditën të transmetojnë tek armata ilegale e ndjekësve të tyre, jo thjesht substancën, ritet dhe traditat e udhës  tonë mistike, por durimin  e thellë për të përballuar situatat, shpresën e madhe se “të vërtetat” e sistemeve shkojnë e vijnë, ndërsa E Vërteta e Zotit është e përjetshme. Unë personalisht jam me fat që jam lindur e rritur me frymën e tyre.
Është diçka tjetër që besoj se nuk duhet anashkaluar në këtë auditor. Ndër arsyet kryesore të vëllazërisë sonë fetare,, është padyshim ruajtja e traditës, ndriçimi i saj në mozaikun identitar, pasurimi me elementë të tillë që i shkojnë për shtat epokës që kalojmë. Paraardhësit tanë, por edhe ne udhëheqës e klerikë të sotëm, jemi përpjekur të harmonizojmë brenda kodeve tanë etikë dhe religjionarë shprehjet e jashtme të besimit me pasurinë pafund të traditave , duke ruajtur në mënyrë më të kënaqshme të mundshme, substancën e vlerave historike. Kësisoj mund të themi se ja kemi dalë mbanë  edhe kundruall disa prirjeve  fetare që na vijnë së jashtmi, por që kjo betejë do të vazhdojë të jetë gjatë, në vorbullën e ngjarjeve në të ardhmen.
Në këtë kontekst, sërish doja të shtoja se një degë e rëndësishme e qëndrimit tradicionalist, është sufizmi, i cili në vetvete sintetizon mesazhin e Islamit për paqe dhe universalizëm. Me sufizmin, njëri krah i të cilit shkon deri tek Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi ‘Të, tradita nuk do të mund të shpërfillet asnjëherë edhe pas shtresëzimeve të faktorëve jashtëfetarë. Ka shumë teologë të sotëm, të cilët mendojnë se pavarësisht rrugëtimeve të reja që duhen ndërmarrë, sufizmi ka qenë dhe mbetet pasuri e Islamit.
Tarikati bektashian të cilit i përkas, është modeli më i dukshëm i vijimësisë së traditës. Është vullneti i Zotit padyshim, siç janë edhe vizioni e urtësia e klerikëve të djeshëm dhe të sotëm. Por vlen të mos harrojmë se në substancë të këtij besimi, janë përulja shpirtërore, dashuria për tjetrin në krah dhe fryma vëllazërore, pavarësisht të kujt race apo etnie i përket. Prejardhjet teknike apo fetare janë parë prej bektashizmit kurdoherë në këndvështrimin për t’i afruar e bashkuar komunitetet nga Azia deri në Amerikën e  sotme. Në më shumë se tetë shekuj të ekzistencës, ne kemi mundur jo thjeshtë të ruajmë identitetin tonë, por përmes tij të japim mesazhin e madh: dashuri për të gjithë! Është kjo arsyeja që çdo ditë e më shumë pushtojmë territore të rinj shpirtërorë.
Së fundi, ajo që mendoj të inkurajojmë së bashku, ideja që në hallet dhe brengat pafund të shfaqura në qytetërimin e sotëm, sa herë që ulemi nëpër tryeza gjeo-politike për kapërcimin e  krizave, ne duhet të thërrasim për ndihmë Zotin. Sepse, sado e mrekullueshme që të jetë makineria e mistereve financiare, sado mëndjehapur të jetë një politikan në Lindje apo tjetri në Perëndim, sado kalkulime të sakta të kemi rreth pasurive të kësaj bote në tokë e nën ‘të, askurrë nuk do ja dalim dot, pa besimin e palëkundur në Zot. Imam Aliu, njëri prej udhëheqësve kryesorë të tarikateve të Islamit, ka thënë shprehimisht: “Zoti nuk u ndau robve të Tij, diçka që të çmohej më shumë se inteligjenca.” Duke mësuar për Zotin e  Lartë, nxjerrim në pah inteligjencën në funksion të paqes e mirësisë në gjithë botën.

Ju faleminderit të gjithëve!

 

Fjala e Kryegjyshit Botëror Bektashian,
Hirësia e Tij
Haxhi Dede Edmond Brahimaj

Related posts