Scroll to top
Share
en

Ditën e sotme është përuruar memoriali i parë për holokaustin në Tiranë, i vendosur tek kodra e Liqenit Artificial. Në ceremoninë përuruese morën pjesë Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, Ambasadori i Izraelit Noah Gal Gendler, kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, Kryegjyshi Botëror Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe përfaqësues të komuniteteve fetare dhe familjarë të atyre që kontribuan në shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri.
Në fjalën e saj Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, u shpreh se akti i shqiptarëve është “shembull i shndritshëm i njerëzimit, një shembull që duhet ndjekur”. “Pasi Hitleri mori pushtetin dhjetëra familje shqiptare strehuan qindra hebrenj dhe kur nazistët kërkuan listë të atyre që ndodheshin në Shqipëri, ata refuzuan. Klerikë, qytetarë të thjeshtë, të gjithë punuan për të shpëtuar këta njerëz, është një histori frymëzuese e humanizmit, kurajës dhe nderit, me fjalë të tjera, e besës shqiptare,” tha ajo.
Ndërkohë Ambasadori i Izraelit, Noah Gal Gendlerëse e konsideroi një “akt i shkëlqyer nga një vend i vogël që shëmbëllen vlerat e njerëzimit, sakrificën dhe  dashurinë. Vlera që ende vijojnë të jenë të qenësishme në Shqipëri”.  Ai shtoi se nëse shumë kombe do të mësonin këtë pjesë të historisë së Shqipërisë, kjo do të ishte e shkëlqyer “Për ne hebrenjtë Shqipëria do të shërbejë gjithmonë si një farë bujarie, si një simbol fisnikërie, si një pishtar tolerance, si njerëz mikpritës. Nëse shumë kombe do të mësonin këtë pjesë të historisë së Shqipërisë, kjo do të ishte e shkëlqyer” u shpreh ambasadori Izraelit.
Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama u shpreh se “shpëtimi i hebrenjve është një histori e cila përmban brenda detyrimet për ta ruajtur jo thjesht si histori për momente ceremoniale, por si një vlerë e madhe që duhet trashëguar brez pas brezi”. “Përpara Luftës së Dytë Botërore Shqipëria ishte i vetmi vend që në legjislacionin e saj kishte të miratuar Shabatin, që do të thotë se të gjithë qytetarët që jetonin këtu dhe që i përkisnin popullit hebre kishin të drejtën të mos punonin ditën e premte dhe askush nuk kishte të drejtë t’u ndërpriste shpërblimin për punën. Pa u zgjatur në historinë që i pararendi kapitullit të marrëdhënies shqiptaro-izraelite në luftë, Shqipëria me episodet epike të njerëzve të drejtë të saj që ndihmuan hebrenjtë mbetet një njollë në ndërgjegjien e Hollywood-it që ka krijuar disa kryevepra në lidhje me këtë epokë, por që me siguri do të kishte krijuar shumë më tepër, edhe më të pabesueshme nëse do t’i ishte referuar episodeve të shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri,”  tha kryeministri Edi Rama.
Nga sot ky memorial do të përbëjë një pikë reflektimi për kontributin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve dhe një pikë kujtese për ata miliona të tjerë që nuk mundën t’i shpëtojnë holokaustit.

Related posts