Scroll to top
Share
en

Të nderuar vëllezër të mijë, klerikë, myhibanë, dashamirës dhe vazhdues të Ehli-Bejtit, anekënd botës!
Sot është dita e parë e agjërimit të muajit të madhëruar të Ramazanit dhe kjo, më jep rastin e lumë t’ju përshëndes të gjithëve dhe t’ju përcjellë urimet më të mira në familjet tuaja!
Selia e Shenjtë Bektashiane këtu në Tiranë, po ndjek me vëmendje dhe shqetësim të natyrshëm ngjarjet që vijnë prej kësaj pandemie kaq të dhimbshme, duke iu lutur Zotit të Lartë të na japë vullnet për të kaluar këtë tragjedi dhe për t’iu rikthyer jetës së mëparshme, me krejt ato begati që na ka falur Ai. Ne kemi mundur që edhe në këto situata, të shpërndajmë dashuri, vëllazëri e ndihma ushqimore në familjet më nevojtare, pa marrë para sysh se kujt besimi i përkasin, por të bindur se jemi bij të një Zoti të Vetëm.
Si rrallëkund në historinë e Islamit, këtë muaj ne nuk mund të jemi pranë njeri-tjetrit. Por ky fakt, kjo risi e detyrueshme prej pandemisë, nuk mund të na ndalojë as të lutemi, as të agjërojmë shpirtërisht dhe fizikisht.
Përkundrazi, në vetminë e teqeve tona, të shtëpive tona, ne do të jemi pranë vëmendjes dhe gostisë së Allahut xh. sh. Në buzët tona do të mbesin dhjetëra lutje nga Kurani i Lartë, i cili ka zbritur si mëshirë  për botët në këtë muaj. Në mendjet tona do të feksin xhevahiret e vyer të urtësisë së Imam Aliut, i cili erdhi në këtë botë i dlirë dhe u largua hyjnor. Ne do bashkohemi shpirtërisht akoma më shumë me njeri-tjetrin në natën e Kadrit, substanca e së cilës është devocioni më i thellë ndaj Krijuesit që na dha frymën dhe dritën në zemra.
Vëllezër dhe motra myslimane!
Pavarësisht situatës që po kalojmë, unë jam i bindur se muaj i madhëruar i Ramazanit do na japë shpresa dhe fuqi, të shohim dritën në fund të tunelit. Sado i sofistikuar të jetë “Covud-19”, ai nuk mund të na mposhtë e brengosë, sepse forca dhe besimi me të cilat na ka pajisur Krijuesi ynë, e kanë rrëfyer vitalitetin e tyre përgjatë historisë së gjatë njerëzore.
Le të bashkohemi në ditët e këtij muaji të begatë akoma më shumë e shpresëplotë rreth Krijuesit, le të pastrojmë shpirtrat tanë, mendimet tanë, fjalët dhe sjelljet tona, duke u ngritur në lartësi të tjera të dashurisë dhe solidaritetit për njeri-tjetrin!

Zoti ju bekoftë të gjithëve!

Amin!

Kryegjyshi Botëror Bektashian,
Hirësia e Tij,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj

 

Që në momentet e para të izolimit nga epidemia, Kryegjyshata Botërore Bektashiane ofroi mbështetje humanitare për shumë familje në nevojë, në mënyrë që ata të ndihmohen për të përballuar sa më lëhtë këtë situatë të rëndë botërore.
Përveçse apelit mediatik për më shumë nevojë për zbatimin e masave të distancimit social të publikuara nga qeveria, për më tepër besim në Zot, për më shumë dashuri e respekt për njëri-tjetrin, unitet, paqe e solidaritet, ndihma e bektashinjve ka konsistuar me pako ushqimore për shtresat në nevojë. Gjithashtu, siç pohon për gazetën “Telegraf”, Kryegjyshi Botëror bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, është bërë në bashkëpunim me strukturat vendore lokale.
“Është në misionin dhe praktikën tonë mbështetja e shtresave në nevojë, gjë të cilën e kemi bërë dhe do e bëjmë vazhdimisht. Por kjo epidemi e rëndë me përmasa botërore, ka bërë që mbështetja, ndihmat në ushqime, të jenë më të mëdha për këto shtresa. Këto ndihma, janë dhënë atyre që kanë me të vërtetë nevojë, pa dallim se cilit besim fetar i përkasin. Këtë po e bëjmë dhe dhe do ta bëjmë vazhdimisht derisa kjo epidemi, të largohet me pasoja sa më të pakta, përballë solidaritetit dhe ndihmës njerëzor, cilësi që shqiptarët i kanë pas brez pas brezi”, pohon mes të tjerave Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Mësohet se deri tani janë ndihma për rreth 500 familje në nevojë.
Sipas Jetmir Bodinit, këto ndihma janë dërguar nga vetë specialistët e Kryegjyshatës tek familjet, në përputhje me të gjitha ligjet e udhëzimet përkatëse zyrtare për sigurinë, që kërkon kjo situatë.
Ndihmat ushqimore janë dhënë në disa lagje të Tiranës, por dhe në rrethe të tjera të vendit. Kjo praktikë, do të vazhdoj edhe në ditët në vazhdim.

 

Related posts