Scroll to top
Share
en

E kanë pritur si çdo vit të emocionuar pelegrinzhin e baba Sakos besimtarët bektashianë të Durrësit, Kavajës e Elbasanit. Si çdo vit ata i’u drejtuan tyrbes së këtij shenjtori bektashian në shenjë nderi e respekti për atë dhe gjithë plejadën e shquar të klerikëve, ndjekës të Haxhi Bektash Veliut. Ju drejtuam plot emocione edhe për faktin se përveç klerikëve bektashianë të pranishëm erdhi aty edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Bashkëbisedimi i ngrohtë midis klerikëve dhe besimtarëve bektashianë vijoi për temat e ditës, për të sotmen dhe të shkuarën e tarikatit bektashian. Në fjalën e tij të ngrohtë Kryegjyshi Botëror Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj u shpreh midis të tjerave se e kaluam me sukses këtë kolerë të mbrapshtë falë kujdesit dhe dashurisë njerëzore që treguam për njëri-tjetrin.
Patëm disa data të rëndësishme siç ishte 22 marsi, të cilat i kaluam duke u lutur në shtëpitë tona, duke kërkuar ndihmën e Zotit dhe të baballarëve që ta kalonim sa më lehtë situatën dhe të përballonim sfidat e varfërisë që kalojmë.
Bektashinjtë kanë gjetur kurdoherë shpëtim dhe shpresë tek Zoti, tek shenjtorët e djeshëm dhe të sotëm. Në fund të fjalës së tij Kryegjyshi Botëror Bektashian Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj u shpreh: “Vëllezër dhe motra të mi!  Baba Sakua dhe krejt trashëgimia e klerikëve tanë janë një dëshmi se si mund të kapërcehen edhe vështirësitë më të mëdha duke pasur devocion të pa lëkundur tek Krijuesi. Këtë devocion po e përcjellim neve pasardhësit e denjë të baballarëve të djeshëm dhe ju të nderuar miqtë e mi.  Shpesh herë e kam përsëritur dhe po e them edhe sot: Ta duam vatanin, ta duam këtë Shqipëri që na bëri kokën, ta duam dheun e stërgjyshërve tanë, ti duam fëmijët dhe mos ti lëmë të nisen rrugëve të Europës. Është e drejta e tyre të mendojnë për një jëtë më të mirë. Por ndonëse përmes vështirësive jeta bëhet e mirë vetëm në atdheun tënd. Besimi në Zot, besimi për një të ardhmë më të mirë, duhet të shoqërojë udhëtimin tonë shpirtëror të përjetshëm.
Zoti Ju bekoftë!
Amin!”

Related posts