Scroll to top
Share
en

Bismillahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirbërësit!
I nderuar vëllai im Haxhi baba Sadik Ibro!
Të nderuar myhib, dashamirës dhe intelektualë, miq dhe të ftuar të teqesë bektashiane të Melçanit!
Zoti i Lartë, Haxhi Bektash Veliu dhe baballarët bektashianë i’u plotësofshin juve çdo dëshirë, në këto kohëra kaq të vështira që po kalon bota në përgjithësi dhe besimet fetare në veçanti, juve që keni ngritur nga rrënojat dhe zbukuruar dita ditës teqenë tonë madhështore!
Melçani, ai fshat i hershëm i Ilirisë, në vitet ’70 të shek. XVII do të priste me bujarinë e vet tradicionale misionarët e parë bektashinj, ata dervish të përkryer që në çantat e tyre kishin libra të dijes më shumë se sa bukë për të mbajtur shpirtin, misionarë të Haxhi Bektash Veliut, siç dëshmohet sot nga dhjetra dokumente, kanë ardhur në ballkan pikërisht për të shpërndarë paqen dhe vëllazërimin të ndërthurur mrekullisht me besimin në Zot. Këta u respektuan dhe u dëgjuan prej ballkanasve dhe shqipëtarëve në përgjithësi, pikërisht sepse falën vëllazërinë ndaj çdo besimi fetar pa përjashtuar askënd dhe duke dashur gjithkënd.
Prej shek. XVII e këtej teqeja e Melçanit u kthye në një objekt kulti të rrallë në të cilin jo vetëm korçarët, por edhe besimtarë nga Kolonja, Janina dhe Manastiri bujtnin aty dhe gjenin paqe e shpresë. Ndërkaq po sipas burimeve të historiografisë tonë, dashamirësit e teqesë gjenin libra mistik, tekste të shumtë të Islamit prej të cilëve u pasuruan me ide kombëtare.
Por në mënyrë të veçantë teqeja e Melçanit do të kontribuonte në vitet e lavdijshëm të lëvizjes autonomiste shqiptare, atëherë kur vetëdija nacionale e popujve ballkanik kërkonte një orë e më parë të zgjohej prej natës së gjatë 5 shekullore Osmane, çetat e para patriotike të Pogradecit, Gorës, Oparit, Strugës, Devollit, Kolonjës dhe deri në Gjirokastër lidhën besën e tyre pikërisht në këtë teqe, e cila askurrë nuk i kurseu jo vetëm konakët dhe bukën e saj, por as librat shqip, as abetaren, as pushkën dhe as fishekët.
Ne bektashinjtë, duhet të krenohemi sot, me konkluzionin e historiografisë kombëtare, e cila teqen e Melçanit e përmend: “Si e para qendër e lëvizjes kundër Otomane në trevat shqiptare në fillim të shek. XX ”.
Në vitet që rrodhën më pas nën drejtimin e baba Hysen Melçanit kjo teqe ishte vatër e besimit në Zot, por edhe e besimit kombëtar se nëse shqiptarët bashkoheshin me njëri-tjetrin liria nuk do të vononte. Është kjo arsyeja që patriotët korçarë në vitin 1912, jo vetëm bektashinjt, por edhe myslymanë syni, të krishterë dhe ungjillorë u mblodhën nëpër shtëpitë e Haxhi Bektash Veliut, qanë hallet dhe gjetën zgjidhje për shumë probleme që kalonte Shqipëria.
Petro Nini Luarasi dhe Naum Veqilharxhi, Mihal Grameno dhe Bajo Topulli, Motrat Qiriazi dhe Dhaskal Todri patën kurdoherë mbështetjen morale dhe materiale të teqesë dhe baballarëve të saj.
Sigurisht prej ditës së themelimit të kësaj teqeje e deri më sot janë dhjetra e dhjetra dervish e baballarë që me sakrificat dhe përuljen e tyre shpirtërore kontribuan në lëvizjet madhore të kombit tonë, në panteonin e lavdishëm të bektashizmit shqiptar dhe atij botëror, teqeja e Melçanit përmes veprës së baba Hysenit, baba Hajdarit, baba Qazimit, baba Zylfos si dhe dhjetra dervishëve e baballarëve të tjerë sigurisht që zë vendin e saj të merituar në historiografinë tonë shqiptare.
Motra dhe vëllezër, e djegur nga turqit dhe grekët, e rrënuar nga regjimi monist që kaluam, teqeja e Melçanit dukej sikur do të shuhej në harrim, por ideja dhe mendja e myrshidit tonë të të gjithëve, Dede Reshat Bardhit si edhe e atij grupi baballarësh që i’u gjendën pranë në vitin 1990, bënë që tarikati ynë të ringrihej sërish.
Unë do t’iu  falenderoj juve sinqerisht që i’u bashkuat nismës së baba Sadik Ibros për ringritjen e kësaj teqeje dhe do të isha shumë i lumtur të isha sot aty të gëzonim së bashku. Por kjo pandemi që nuk po mbaron, si dhe pozicioni i Selisë së Shënjtë karshi udhëzimeve të Qeverisë Shqiptare na detyron sot të jemi shumë afër shpirtërisht por larg fizikisht.

Mirënjohje të thellë të gjithëve ju kontributorëve të teqesë së Melçanit!
Mirënjohje vëllait tim baba Sadik Ibros!

Zoti ju bekoftë të gjithëve!

Amin!

KRYEGJYSHI BOTËROR I BEKTASHINJVE
HIRËSIA E TIJ
HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ

Related posts