Scroll to top
Share
en

 

Bismilahi, Rrahmani, Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Historia e këtij vendi zë fill me ardhjen këtu të dervishëve të Haxhi Bektash Veliut, të cilët parashihnin në misionin e tyre jo thjeshtë përhapjen e diturive të Islamit, por edhe mbrujtjen e shpirtit të lirisë, të ideve të lume të paqes universale.
Teqeja e Rabijes do të rritej nëpër vite, jo thjeshtë në pikëpamjen e shtimit të myhibëve dhe dashamirësve, jo thjeshtë në pikëpamje të shtimit të sipërfaqes së tokës, pyjeve, kullotave
por në mënyrë të veçantë në misionin atdhetar të teqesë së Rabijes, e cila do të binte në pah në fundin e shekullit të 19 dhe fillimin e shekullit të 20, në momentet kur postmbajtësi i saj, ishte baba Selman Gricaj nga Martaneshi. Me veprën e tij, ky klerik i dha emër të mirë, jo thjeshtë teqesë së Rabijes, por vetë bektashizmit shqiptar. Është kjo arsyeja që sot e kësaj dite, në kuvendet tepelenase këndohen vargjet:
Baballarë të mirë qenë,
Që të gjithë në Tepelenë,
Por mbi krye, përmbi krye,
Ish Selmani në Rabije….
Lidhja e klerikëve të teqesë së Rabijes, me formacionet luftarake nacionalçlirimtare të vendit, bënë që teqeja të shndërrohej në vatër të shenjtë atdhetarizmi, që dashamirësit e saj të shumtë të rrëmbenin armët kundër bishës fashiste.
Ka qenë ky shkaku që në 23 korrikun e vitit 1943, forca të shumta italiane, me mjete të motorizuara dhe të armatosura deri në dhëmbë, iu drejtuan teqesë së Rabijes, a thua sikur këtu të ishin mijëra luftëtarë shqiptarë. Këtë mllef ata e rrëfyen me pushkatimin e baba Abaz Rabijes, të dervishëve: Bajram Lamaj nga Levani, Hasanit nga Rabija, Feimit nga Gllava dhe Bajramit nga Mallakastra. Këta emra të ndritur klerikësh, së bashku me 27 besimtarë dhe myhibanë të tjerë që u vranë dhe masakruan po atë ditë, tanimë kanë hyrë padyshim në panteonin e lirisë së kombit tonë.
Nder dhe respekt të përjetshëm për jetën dhe veprën e tyre!
Ne jemi besimplotë dhe i lutemi Zotit të Lartë ta kalojmë një orë e më parë këtë pandemi, për t’iu kthyer jetës sonë familjare takimeve dhe bisedave me të dashurit, sidomos bisedave shpirtërore në mjediset e mrekullueshëm të teqeve tona.

Zoti na ndihmoftë!
Amin!

KRYEGJYSHI BOTËROR
HIRËSIA E TIJ
HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ

 

Related posts