Scroll to top
Share
en

Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Të nderuar vëllezër e motra, pelegrinë të nderuar të Shkëlzenit, që lidhet me Vendin e Mirë të kujtimit të Sari-Salltikut!
Në historinë fetare evropiane e vetmas atë ballkanike, idetë, mendimet dhe zbulimet e gjurmëve të Sari-Salltikut, janë me mijëra. Në një komb e shoqëri të lirë siç jemi sot, secili prej nesh zgjedh dhe u bashkohet atyre ideve që i duken më pranë realitetit. Unë personalisht i kam besuar një përkufizimi të Enciklopedisë Islamike, të botuar në Laipcig, në Gjermani, në vitin 1934, ku thuhet tekstualisht: “Sari Salltiku, është dervish turk, elvija bektashian, me
prejardhje nga Buhara.”
Por ndërkaq, jam i një mendje me dhjetëra satudiues myslimanë, që kanë hulumtuar rreth kësaj figure dhe kanë dalë në konkluzionin se Sari Salltiku ka qenë një personalitet që identifikohet mrekullisht me humanizmin, me paqen dhe vëllazërinë njerëzore, sikundër mbetet armik i betuar i tiranive, i shtypjeve, sistemeve anarkikë dhe padrejtësisë. E vërteta është se kudo ku shkeli këmba e tij, pavarësisht realiteteve historikë apo miteve, hodhi rrënjë dhe u rrit pema e dashurisë fetare dhe njerëzore. Nëse emri i këtij evlijai bektashian, ka kaluar prej shekujsh kufijtë e Danubit për të shkuar deri në Siberinë e Largët, kjo tregon pikërisht esencën e mirësisë që ai shpërndanë përmes besimit dhe fjalës.
Ky vend i bekuar në zemër të Malësisë së Gjakovës, ka mbledhur rreth mrekullisë natyrore, shqiptarë të krejt Veriut tonë. Përjetësisht ata kanë ardhur këtu, janë përulur me respekt ndaj mirësive të Sari-Salltikut, kanë kërkuar diellin në ditë të errëta të historisë, kanë kërkuar shpresën në ditë zie. Ka qenë një periudhë e shkurtër kohore, gati një shekull që besimtarët tanë veriorë u ndanë. Deshi Madhi Zot, me ndihmën e Ushtrisë Çlirimtare dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që Kosova flaku tutje regjimin e urryer serb, duke u shndërruar në zot të fateve të saj. Që nga ajo ditë dhe deri në përjetësi, besimtarët e Malësisë së Gjakovës dhe krejt trojeve shqiptarë, do t’u gëzohen bashkërisht festave të vendeve të mirë, sepse jemi një komb e një gjak.

Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!

KRYEGJYSHI BOTËROR I BEKTASHINJVE
SHENJTËRIA E TIJ
HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ

Related posts