Scroll to top
Share
en

Ceremonia sot në orën 11:00 në Selinë e Shenjtë Bektashiane. Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Dede Edmond Brahimaj: Ky rit tradicional në respekt të 72 dëshmorëve të Qerbelase, që vjen pas matemit,  do të zhvillohet në masa të plota sigurie për mbrojtjen nga pandemia!

Nga Nuri ÇUNI (Sekretar i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane)

Sot, është një nga ditët e shënuara për miliona bektashinj në gjithë botën dhe dashamirës të këtij besimi të paqtë, dita e Ashures. Kjo ditë, pason dhjetë ditët e matemit, ditë-netët e zisë në kujtim të 72 dëshmorëve të Qerbelasë. Në traditë, por dhe për faktin se kjo ditë zhvillohet në një situatë të vështirë si pasojë e pandemisë, nga Selia e Shenjtë, janë marrë të gjitha masat për respektimin e rregullave që kërkon kjo situatë. Prej ditësh, nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, janë marrë, parë e vlerësuar në detaje të gjitha masat, në mënyrë që ashtu si tradicionalisht, kjo ngjarje e shënuar të jetë e suksesshme. “Pasi kemi agjëruar 10 ditët e zisë së matemit, nesër (sot), për miliona bektashinj në gjithë botën, është dita e ashures. Ndryshe nga herët tjera, këtë vit, ky rit, bëhet në një situatë të rënduar nga pandemia e Covid-19. Për këtë shkak, ne kemi marr të gjitha masat e nevojshme, që i gjithë aktiviteti, të zhvillohet në përputhje të plotë me rregullat strikt zyrtare të dhënë për këtë situatë. Falë këtyre masave, traditës sonë, besimtarët janë të ndërgjegjshëm se duke zbatuar këto masa, sin ë çdo fushë të jetës, do të jemi shembull i respektimit të rregullave, I dashurisë e respektit vëllazëror ndaj njeri-tjetrit, i solidaritetit, dhe i përkujdesjes së ndërsjelltë mes nesh dhe dashurisë së pakufishme për Krijuesin. Si Kryegjysh Botëror Bektashian, i bekoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë rit tradicional të ashures, besimtarëve kudo që janë në botë duke iu uruar më shëndet, paqe e dashuri në jetë e në familjet e tyre”- pohon për “Telegraf”, Dede Edmond Brahimaj. Në kuadër të masave, në këtë ditë, krahas përgatitjes së ashures, pritjes së besimtarëve, janë marrë dhe disa masa të tjera si një ekspozitë e plotë figurative në mjediset e jashtme të Selisë së Shenjtë, vizitë në anekset e hapura të odeonit, etj…

Çfarë është Matemi

Matemi, ceremonia e mbylljes të të cilit u bë dje në orën 12:00 në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ishte dita fundit e agjërimit dhjetëditor deh pasohet të martën (sot, 1 shtator 2020), me ceremoninë e ashures. Po çfarë është Matemi?

…Deri ditën e Ashures bëhet Matemi, i cila është agjërimi i zisë, ose zija përkujtimore. Agjërimi i bektashinjve dhe i të tjerë tarikateve alevian, që zgjat 10 ditë të muajit hënor të Muharremit ( Muaji Muharrem është fillimi i vitit të ri Hixhri sipas kalendarit mysliman). Gjatë këtyre ditëve, besimtarët bektashian, mysliman dhe alevian kudo që ndodhen në botë, për 10 ditë me radhë, përkujtojnë në shenjë zie e respekti, 72 dëshmorët që ranë heronj në Qerbela, me në krye Imam Hysenin (afërsisht 20 tetor të vitit 680 pas Krishtit, në Irak). Këto ditë bektashinj e të tjerë mblidhen në teqetë e ndryshme ku drejtuesit lexojnë me zë të lartë Hadikanë, bëjnë ritualin e përditshëm duke përkujtuar vuajtjet e profetëve e ngjarjen tragjike të Qerbelasë, për shërbimin e tyre të shenjtë në të mirë të njerëzisë, duke predikuar rrugën e drejtësisë, paqes, vëllazërisë dhe përsosmërisë njerëzore. Natën e parë u kushtohet vuajtjet e profetëve: Ademin, Nuhun, Ibrahimin, Jusufin, Musain dhe Krishtin; të dytën për Profetin Muhamet; të tretën për Imam Aliun; të katërtën për Imam Hasanin; të pestën për Imam Hysenin ( lindja dhe jeta e tij); të gjashtën për Imam Hysenin ( ikja e tij nga Medina në Mekë); të shtatën për Myslym Akilin (vrasja e tij dhe dy djemve të tij, Myftarin dhe Ibrahimin); të tetën për Imam Hysenin (nisja e tij për në Kufë); të nëntën për Imam Hysenin (mërritja në Qerbela) dhe, natën e dhjetë, për Imam Hysenin ( martirizimi i tij dhe dëshmorët e tjerë). Në këto ditë nuk pihet ujë, etj.

Imam Hysen

Imam Hyseni
Imam Hyseni, fëmija i dytë i Imam Aliut dhe Fatimesë, u lind në datën tre të muajit Shaban të vitit të katërtë Hixhri, në qytetin e Medinës të Arabisë. Roli i tij në jetën islame ka filluar shumë herët. Ai ka marrë pjesë krah për krah me babanë, Imam Aliun në luftërat: Xhemelit, Sifinit, Nehrevanit. Në kohën e vëllait të tij Hasanit, përjetoi të gjitha ndodhitë. Bashkë me të vëllanë dhe Eheli Bejtin në Medine, punuan për mbrojtjen e Islamit. Në një hadith të profetit thuhet: “Hyseni është prej meje dhe unë jam prej Hysenit. Allahu e don atë që e do Hysenin. Hyseni është degë prej degëve të pemës së Ehli Bejtit…”. Pas të vëllait, ai ishte 10 vjet imam, që përkon me fundin e kalifatit të Mavija dhe fillimi i kalifatit të Jezidit. Ai respektoi marrëveshjen e paqes që kishte firmosur Imam Hasani me Mavien. Ai nuk ndërmori ndonjë veprimtari kundër strukturës politike dhe u mjaftua me përgjegjësinë e kujdestarisë për nevojat fetare të njerëzve, duke u bërë i famshëm me dijet e bujarinë dhe përkushtimin e tij. Dhënia e betimit, ishte një praktikë arabe e cila zbatohej për çështjet e rëndësishme, siç është ajo e mbretërisë dhe e qeverisjes. Imam Hyseni nuk pranoi të jepte betimin për të pranuar Jezidin si mbret. Për këtë, ai u detyrua të largohej nga Medina e të qëndronte në Mekë si refugjat. Gjatë kësaj periudhe, populli i qytetit të Kufës, dërgoi një mori letrash, duke ftuar imam Hysenin të shkonte në Kufë e të vihej në krye të tyre, për të udhëhequr një kryengritje kundër Jezidit. Nisur nga letrat që i kishin dërguar banorët e Kufës dhe shiitët e Irakut, Imam Hyseni, fillimisht dërgoi Moslem Ibn Akilin, të cilit i dha me vete letra për shiitët e Kufës dhe Basras dhe duke marrë përgjigjen e besës të banorëve të Kufës nëpërmjet Myslimit, në ditën e tetë të muajit Dhihixhe (të vitit 60 hixhri), la Mekën dhe ikën drejtim të Irakut. Prishja e besës nga ana e banorëve të Kufës dhe martirizimi i Myslim Akilit, tensionoi situatën në Irak. Në këto kohë, ai së bashku me familjen dhe shokët, ishin duke udhëtuar drejt Kufës, para se të arrinin në këtë qytet u rrethua nga ushtria e Jezidit, në vendin e quajtur “Qerbela”. Ai nuk iu dorëzua ushtrisë së Jezidit dhe me një luftë titanike së bashku me shokët e tij u martirizua në ditën e Ashures me buzë të tharë nga etja për ujë. Në Qerbela, mbetën 72 dëshmorë.

Fjala e Imam Hysenit para betejës së Qerbelasë
Epike dhe heroike mbetet fjala drithëronjëse e Imam Hysenit, para fillimit të betejës së Qerbelasë. Ja pjesë nga kjo fjalë: “Unë jam djali i gjyshit dhe atit që janë më të lavdërueshmit e të gjithë botës. Unë jam një pasardhës i lindur nga dy florinj. Unë jam bir i një burri që ndërsa kombi Kurejsh vinin rrotull dhe faleshin përpara idhujve Luth e Asam, ky që në vegjëli, i falej fytyrës së bukur të Perëndisë. Cili është ai njeri që ka një gjysh si imi që ka qenë dritëdhënës i diellit e i hënës dhe i gjithë yjeve? Cili është ai njeri që ka një baba si babai im, i cili vrau e coptoi tradhtarët në betejat ngadhënjyese e Bedrit e të Hynejnit? Cili njeri ka një nënë si e imja që ka qenë dritë e syve të të madhit Muhamet? Cili njeri ka një xhaxha si xhaxhai im Xhaferr Tajari që ka fluturuar? Unë jam i krijuar prej diellit e hënës, se babai im ishte dielli e nëna ime ishte hëna. Nëna ime ishte e ditura e Profetit dhe trashëgimtare e atij që është më i larti i gjithësisë. O ju ndjekësit e të madhit Profet! Ju besimtarët e shtëpisë së Ehli-Bejtit! Gëzohuni se nesër në jetën e përtejme do të pini nga dora e pastër e Hysenit ujin e ngjalljes dhe lëngun e pastër!… O ju kombi im mundimdhënës. Nuk keni frikë nga Perëndia, e cila popullin e Firaunit e mbyti në ujërat e Nilit dhe ngatërrestarët e Filit i vrau me gurë me anë të zogjve Ebabil? A keni frikë prej atij Zoti që zhduku  malësorët e popullit Lut, ndërsa kundërshtarët e Profetit Nuh i bëri të vuajnë? O ju gjakpirës! Në qoftë se besoni në atë Perëndi dhe te Profeti, që është gjyshi im, hiqni dorë nga këto të këqia që po bëni. Mendoni fundin e jetës suaj. Pra, jepini fund veprave të këqia duke më lënë të lire të shkoj bashkë me fëmijët dhe gratë nga ana e Abisinisë, ose Rumisë e t’ju liroj ju viset e Arabisë dhe tokën e Hixhasit e të Ebabilit. Në qoftë se nuk do t’i pranoni këto fjalë dhe në qoftë se me doemos doni të luftoni me mua, atëherë, të paktën që mund të bëni, dilni një nga një në fushën e luftës.“

Vlerësime për Imam Hysenin
Ndër dekada e shekuj, për Imam Hysenin, janë për vlerësime dhe nga personalitete të mëdha të shkencës, fesë e udhëheqës të shquar të shteteve të ndryshme të botës. Po veçojmë disa prej tyre: Abraham Linkoln, president i Amerikës: “Vërtet, Kur’ani, Muhamedi dhe Hysejni janë ‘trini e shenjtë’ dhe duhen parë me syrin e shenjtërisë, sepse në to ka shumë shembuj të lartë dhe shembuj respekti për të drejtat e njeriut.”. Zhorzh Pompidou, president i Francës: “Të mëdhenjtë kanë virtyte dhe cilësi të shumta. Popujt kanë sjellë shumë prej atyre që historia i përmend me gërma prej drite. Në krye të tyre kanë qenë Krishti, Muhamedi, Buda dhe Hysejni.”

Ruzvelti, ish president i Amerikës: “Sado që të arrijnë luftëtarët në gjendjen e egërsisë, të luftimit dhe të agresionit, ne kurrë nuk e pranojmë vrasjen e djalit të një vajze, që i atribuohet një Profeti.”. Gandi, udhëheqësi i Indisë: “Unë e kam lexuar jetën e Imam Hysejnit, dëshmorit të madh të Islamit. I kam shfletuar me vëmendje faqet e Qerbelasë. Mua mu qartësua se, nëse India dëshiron triumfin, duhet patjetër!”. Çarls Dikens, shkrimtar i njohur anglez: “Nëse Imam Hysejni (paqja qoftë mbi të!) do të kishte luftuar për qëllimet e kësaj jete, nuk e kuptoj pse duhet të merrte me vete gratë, të rinjtë dhe fëmijët?! Atëherë, logjika gjykon se ai sakrifikoi vetëm për hir të Islamit.”. Perez de Kuelar, ish sekretar i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara: “I kam parë (lexuar) librat e konsiderueshëm të historisë që flasin për udhëheqësit të cilët dhanë gjakun e tyre për të lumturuar popujt e vet. Vura re se nipi i Profetit të muslimanëve, i biri i Aliut, ka qenë më i forti dhe më i guximtari i tyre.” Shkrimtari Xhorxh Lukas: “Konceptet e Hysejnit ishin të përqendruara te natyrshmëria e lirë. Qëllimet e tyre ishin që bijtë e unmetit të tij të jenë të lumtur në jetën e tyre, me qëllim që të kenë mundësinë të qëndrojnë përballë udhëheqësve të padrejtë, të cilët shtypin qafat e tyre. Hysejni u përball me ta me gjithë fuqinë dhe vendosmërinë.”. Muhamed Ali Xhenah, themeluesi i shtetit të Pakistanit: “Nuk gjen në botë shembull për trimërinë dhe guximin si sakrifica e Imam Hysejnit (paqja qoftë mbi ‘të!) me veten e tij. Besoj se të gjithë myslimanët duhet ta ndjekin dhe ta marrin shembull këtë burrë që sakrifikon me veten e vet në tokën e Irakut.”. Shilley, shkrimtar anglez: “Hyseni nuk është pronë e askujt. Përkundrazi, ai është pronë e të gjithëve, sepse mendimet e tij janë të drejta. Prej atyre përfiton kushdo që dëshiron të jetë simbol i popullit dhe i bashkësisë së tij.” Mustafa Kemal Ataturk: “Vërtetë, Hyseni është udhëheqës i rrallë e i pashoq. Ai është mësues i mësimeve të vyera në luftën për liri dhe për mbrojtjen e nderit.”. Shkrimtari Ernest Heminguej“Vërtet, hidhërimi që shkaktoi vrasja e Hysenit vazhdon të djegë e të përvëlojë zemrat e njerëzve të ndritur për shkak të tragjedisë së dhimbshme, të cilën e kryen grupi i të eturve për gjakun e të pafajshmëve.” Kurt Valdhajm: “E kam lexuar me pasion udhën e historisë në të cilën eci Hyseni, i biri i Aliut dhe e kam gjetur të mbushur me altruizëm dhe sakrifica për mbrojtjen e parimeve dhe të idealeve të larta, për realizimin e të cilave sakrifikoi veten.”. Raxhif Gandi, president i Indisë: “Është detyrë që Hyseni dhe të tjerët që ecën në rrugën e tij prej të mëdhenjve të botës të shihen me shikimin e respektit dhe të shenjtërisë për arsye të parimeve të larta dhe mendimeve të mrekullueshme që ata mbartin.”. Bernard Shou: “Çdo njeri i ndritur qëndron me respekt dhe nderim para atij udhëheqësi madhështor, nipit të Profetit të Islamit, i cili qëndroi i palëkundur para një grupi shkurtabiqësh, të cilët tmerruan dhe persekutuan popujt e tyre.”

Abaz Ali

Ashurja
Ditën e dhjetë të Matemit, për t’i dhënë fund kësaj periudhe agjërimi, zhvillohet një ceremoni e fundit në teqe. Kjo ceremoni fillon në fund të natës së dhjetë. Besimtarët pinë ujin e jetës, sherbetin dhe mbas kësaj, vihet ashurja në zjarr dhe nga ky çast,vazhdon të nesërmen “Dita e Ashures”. Ashurja është ëmbëlsira e posaçme që merr emrin e kësaj dite – Dita e dhjetë do të thotë Ashure. Ashurja të dhjetën ditë të muajit Muharrem shënon përvjetorin e vdekjes së Imam Hysenit në Qerbela. Ashurja gatuhet me grurë, ujë, niseshte, fasule, bathë, misër, fiq të thatë, rrush të thatë, arra, sheqer (ose mjaltë,  pekmez, musht), kanellë. Në ceremoninë fetare recitohet me zë të lartë (nerthije) bëhen lutje fetare në një heshtjeje zie. Pastaj bëhen vizita, populli dhe besimtarët, hanë ashuren.

 Përgatiti faqet: Kujtim Boriçi

SOM 1


Dede Edmond Brahimaj: Pasi kemi agjëruar 10 ditët e zisë së matemit, nesër (sot), për miliona bektashinj në gjithë botën, është dita e ashures. Ndryshe nga herët tjera, këtë vit, ky rit, bëhet në një situatë të rënduar nga pandemia e Covid-19. Për këtë shkak, ne kemi marr të gjitha masat e nevojshme, që i gjithë aktiviteti, të zhvillohet në përputhje të plotë me rregullat strikt zyrtare të dhënë për këtë situatë. Falë këtyre masave, traditës sonë, besimtarët janë të ndërgjegjshëm se duke zbatuar këto masa, si në çdo fushë të jetës…I bekoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë rit tradicional të ashures dhe besimtarëve kudo që janë në botë, duke iu uruar më shëndet, paqe e dashuri në jetë e në familjet e tyre”

SOM 2


Dede Reshat Bardhi për Imam Hysenin ka thënë: Zemrat njerëzore, ende lotojnë. Ende shikojnë me sytë e zemrës, gjakun e trimave që derdhet lumë në emër të një shoqërie më të mirë dhe të denjë njerëzore. Zemrat e lotuara, për kurbanin e madh të Qelbelasë këndojnë: “Hyseni e deshi njeriun dhe për ‘të u vra/ Për të shpëtuar njerëzinë, ra në Qerbela”.

SOM 3


“Ashurja është ëmbëlsira e posaçme që merr emrin e kësaj dite-Dita e dhjetë do të thotë Ashure. Ashurja të dhjetën ditë të muajit Muharrem shënon përvjetorin e vdekjes së Imam Hysenit në Qerbela. Ashurja gatuhet me grurë, ujë, nisteshte, fasule, bathë, misër, fiq të thatë, rrush të thatë, arra, sheqer (ose mjaltë,  pekmez, musht), kanellë etj. Në ceremoninë fetare recitohet me zë të lartë (nerthije) bëhen vizita, populli dhe besimtarët, hanë ashuren.”

SOM 4
“…Deri ditën e Ashures bëhet Matemi, i cila është agjërimi i zisë, ose zija përkujtimore. Agjërimi i bektashinjve dhe i të tjerë tarikateve alevian, që zgjat 10 ditë të muajit hënor të Muharremit ( Muaji Muharrem është fillimi i vitit të ri Hixhri sipas kalendarit mysliman). Gjatë këtyre ditëve, besimtarët bektashian, mysliman dhe alevian kudo që ndodhen në botë, për 10 ditë me radhë, përkujtojnë në shenjë zie e respekti,72 dëshmorët që ranë heronj në Qerbela, me në krye Imam Hysenin.”

 

DETAJ 1

Për Hysenë përgjërohen*

Naim Frashëri

Për Hysenë përgjërohen,
Të dashurit afrohen,
Edhe sonte njerëzia,
Qajnë për ngjarjet e tija.

Jeziti me gjithë shokë,
Nëmën kanë mbi kokë,
Dhe këtu dhe natë jetë,
Dhe ndaj Zotit të vërtetë.

Kush do Muhamed Alinë,
Edhe beson Perëndinë,
Do Hasan dhe Fatimenë,
Qanë për Imam Hysenë.

*Nga vepra e Naim Frashërit, “Qerbelaja”

Related posts