Scroll to top
Share
en

4 maj 2020:

Të nderuar vëllezër të mijë, klerikë, myhibanë dhe dashamirës të tarikatit bektashian, anë e kënd Shqipërisë!
Vëllezër dhe motra!
Jam bashkuar këto dit të agjërimit të ramazanit me të gjithë ju, duke shijuar begatitë e këtij muaji të bekuar, duke kryer të gjitha detyrimet shpirtërore dhe fizike, duke mërguar mërinë dhe egon, duke iu afruar në devocion sa më pranë Krijuesit tonë të Vetëm!
Kemi qenë të gjithë së bashku këto dit’ pandemie, kemi përcjellë dhe përcjellim me dhimbje çdo humbje të jetës njerëzore (kudo qoftë ajo), jemi lutur dhe solidarizuar me vullnetin për të tejkaluar këtë situatë, duke bërë që të ngadhënjejmë kundruall kësaj mënxyre. Siç e shikoni të gjithë, masat e mirëllogaritura të segmenteve dhe mekanizmave përkatës të Qeverisë Shqiptare, duke bërë që dalëngadalë të lehtësohemi në përditshmërinë tonë, për të shkuar plot siguri në ditët e lirisë universale të lirisë që na ka dhuruar Zoti i Lartë. Sidoqoftë, çdo akt mos durimi, apo trajtimi naiv, përbën padyshim precedentë të rrezikshëm për jetët tona. E nënvizoj këtë fakt pasi kam qindra telefonata nga dashamirës të shumtë, të cilët duan t;u drejtohen teqeve, tyrbeve, vendeve të shenjtë bektashianë. Diçka të tillë, më konfirmoi dhe baba Hekuran Nikollari, i cili më 14 maj të çdo viti, përcjellë urimet dhe bekimet e tij në teqenë historike të Alipostivanit, në atë teqe ku 15 vjet më parë ishin vetëm rrënoja e tani është shndërruar në kopësht dashurie të urtësisë së Haxhi Bektash Veliut.
Por së bashku me baba Hekuranin, dhe gjithë të tjerët, vazhdojmë të jemi në një mendje, se në momentin kur të evitohet rreziku nga pandemia, do të jemi së bashku vetëm shpirtërisht, jo thjeshtë në respekt të ligjeve të shtetit tonë, por në mbrojtje të jetës sonë dhe familjeve tona, në mbrojtje të kësaj Shqipërie,  që po vuan lloj-lloj epidemish të tjera njerëzore.
Bektashinjtë e kudondodhur në botë, kanë ditur të përcjellin tiparet më të vyera të tarikatit, duke qenë konsekuent me parimet morale qeverisëse dhe këtë frymë po e manifestojmë edhe sot. Jam i sigurt se, me shpresën tek i Madhi Zot, kur tragjedia me ‘Covid-19” mos përbërjen më rrezik, ne do të jemi sërish së bashku, në oborret dhe mejdanet e teqeve, duke u bashkuar në shpresat e bukura dhe të mëdha.
Zoti ju bekoftë!
Amin!

Kryegjyshi Botëror Bektashian,
Hirësia e Tij,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj

Related posts