Scroll to top
Share
en

Tetë gushti i vitit 1945, do të mbahet mend gjatë prej klerikëve, myhibëve dhe besimtarëve bektashinj të gjithë trevave shqiptare. Në muzgun e kësaj dite, 75 vite më parë, ndërsa kthehej nga një mision fetar, pushoi së rrahuri zemra e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Xhaferr Sadik Dede. Të nesërmen, në oborrin e Selisë tonë të Shenjtë, u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit, klerikë nga e gjithë Shqipëria, myhibanët e tij të shtrenjtë, personalitete të lartë të shtetit të asaj kohe. Me dëshirën e gjithsecilit, që shpirti i tij të prehej në kopshte të xhenetit, eshtrat e tij u vendosën mbuluar me kurora lulesh në tyrben pranë Selisë së Shenjtë Bektashiane.
Xhaferr Sadik Dede ka lindur në qytetin  Gjirokastrës, në vitin 1874, në familjen Baboçi, e njohur për traditën bektashiane. Ai pati fatin e madh që përveç mësimeve në medresenë e qytetit, të kalonte ditë e net të tëra në teqenë e Zallit, atë Hajdarie dhe teqenë e Melanit, ku shërbyen baballarë që i dhanë emër jo thjeshtë bektashizmit në Jugun e Shqipërisë, por krejt historisë botërore të tarikatit tonë. Takimet, mbresat, fjalët e urta të këtyre baballarëve-dijetarë, mbeten themelet më të sigurta për arsimimin e mëtejshëm të birit të Bocajve.
Ndërmerr udhëtimin shpirtëror të tarikatit në Teqenë e Zallit dhe falë baba Selim Gjirokastrës, viziton vende të tilla si: Haxhi Bektashin në Turqi, apo tyrbet e Imam Aliut a. s, Imam Hysenit a. s dhe Abaz Aliut a. s. në Irakun e sotëm. Kthehet në teqenë e Zallit, në Gjirokastër, me imazhet e trimërisë dhe devotshmërisë së imamëve tanë, duke bashkuar supet dhe zemrën e tij, me supet e klerikëve të tjerë, në barrën e rëndë të përgjegjësisë historike, për lirinë e kombit shqiptar.
Në mënyrë të veçantë, në vitet 1908-1912, si postmbajtës i teqesë së Përmetit, në bashkëpunim edhe me baba Alushin e teqesë së Farshërit dhe baba Hajdarin e Alipostivanit, Xhaferr Sadik Dede , do të  kontribuonte për çështjen e shkrimit të gjuhës shqipe me germa latine, duke iu kundërvënë drejt për së drejti urdhrave që vinin nga Porta e Lartë. Vetë teqeja e Përmetit, u shndërrua në një shkollë të fshehtë të gjuhës shqipe, ku mësonin djem bektashinj, syni dhe të krishterë, prindërit e të cilëve kishin marrë malet në emër të idealit kombëtar.
Veprimtarisë së tij të spikatur në rrafshin fetar dhe atdhetar, i shtohet ndërkaq edhe pjesëmarrja në kuvendet bektashiane. Si edhe përkrahja pa asnjë rezervë ndaj Sali Niazi Dedeit, i cili përmes sakrificash pafund, solli në Shqipëri, Qendrën Botërore Bektashiane. Kanë qenë këto, ndër arsyet që më 25 prill të vitit 1945, ai zgjidhet në postin më të lartë bektashian, duke kontribuar me urtësinë që e karakterizonte deri në rrahjen e fundit të zemrës.
Nder dhe respekt për jetën dhe veprën e Xhaferr Sadik Dedesë!

Zëdhënësi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane

Related posts