Scroll to top
Share
en

Të nderuar vëllezër e motra, myhibanë dhe besimtarë të teqesë bektashiane të baba Rexhebit, në Detroid-Miçigan, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!
I nderuar vëllai im, dervish Eliton Pashai!
I nderuar Kryetar i Komisionit të teqesë, z. Ekrem Bardha!
Më lejoni që si Kryegjysh Botëror Bektashian,  t’u falënderoj për kontributin tuaj të çmuar, në përcjelljen e mësimeve të vyera të Haxhi Bektash Veliut, në mesin e vëllazërisë së shqiptarëve!
Profeti Muhamed, a. s, imamët, shenjtorët tanë shekullor dhe baba Rexhebi, ju qofshin kurdoherë ndihmë e dritë  në udhëtimin tuaj shpirtëror!
Një çerek shekulli më parë, më 10 gusht 1995, u largua nga kjo botë e përkohshme, myrshidi juaj dhe yni, baba Rexhebi, për t’u çlodhur në kopshtet e xhenetit. E nënvizoj faktin “për t’u çlodhur në kopshtet e xhenetit”,  sepse vetë jeta dhe vepra e tij, ishte një sakrificë e gjatë dhe e lodhshme, në shërbim të tarikatit bektashian dhe atyre që e ndjekin atë. Po aq e devotshme, jeta e tij, mbetet edhe për identitetin tonë kombëtar.
Në gati shtatë dekada të misionit të saj fetar dhe kombëtar, teqeja e ngritur prej baba Rexhebit tonë, u shndërrua jo thjeshtë në një vend adhurimi të doktrinës së Haxhi Bektash Veliut, por edhe në një vatër të ngrohtë, për të gjithë shqiptarët e Amerikës, pavarësisht krahinave apo feve që i përkisnin. Ajo shpërndau ndërkaq edhe urtësinë dhe vëllazërinë proverbiale bektashiane, ndër komunitetet e tjerë njerëzorë dhe fetarë, duke iniciuar në çdo kohë mëshirën universale myslimane.
Sigurisht, jeta e klerikëve të tillë si baba Rexhebi, nuk mund të shihet e shkëputur nga vëllazëria, devocioni dhe dashuria e myhibanëve dhe dashamirësve të teqesë. Me përkushtimin tuaj, me frymën tuaj, me mënyrën se si ju i përcollët ngjarjet më mbresëlënëse të këtyre dekadave, keni treguar dhe tregoni se tarikati bektashian, ka mbetur një frymëzim në kontekstin e gjerë fetar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ju duhet ta shpërndani me krenari këtë frymë.
Edhe një herë, respekt për të gjithë ju, që mbani të ndezur atë kujtim të vyer, të shenjtorit tonë, baba Rexhebit! Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!
Respekt për dervish Eliton Pashain, që ecën në gjurmë të paraardhësve të vet!
Ju përqafoj nga larg të gjithëve, duke ju lutur Zotit të na shpëtojë një orë e më parë nga kjo kolerë botërore!

Zoti ju bekoftë!

Amin!

Kryegjyshi Botëror Bektashian,
Hirësia e Tij,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj

Related posts