Scroll to top
Share
en


Bismilahi Rrahmani Rrahimi
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Teqeja e Dushkut përkujton jubileun e 140 vjetorit të ngritjes së saj.
Ndonëse në këto lartësi natyrore, nismëtari i ngritjes së teqesë së Dushkut, baba Ahmet Nazreci, i cili ishte rritur me frymën e baba Adem Melçanit, përmes vështirësive të panumërta, u përpoq të afronte rreth tij fshatarë të kësaj treve, duke përcjellë tek ata virtytet e larta të tarikatit bektashian. Veprat plot sakrifica të baballarëve: Ahmet Nazreci, baba Arif Perevkushti, baba Jonuz Zhepa, baba Kamber Leshnja, baba Shaban Barmashi dhe deri tek baba Rexheb Plevishti, kanë lënë gjurmë të thella jo vetëm në shpirtrat dhe brezat e besimtarëve të këtyre trevave, por edhe vetë në historikun dritëplotë të teqesë së Dushkut. Në mënyrë të veçantë do të mbahet mend gjatë kontributi i baba Rexheb Plevishtit, i cili ka qenë posimbajtës në këtë teqe prej vitit 1912, deri në vitin 1949. Kur Shqipëria jonë po lëngonte prej ngjarjeve fatkeqe të vitit 1914, kur tradhtaret e Haxhi Qamilit erdhën deri këtu e dogjën teqenë, besimtarët e Dushkut e ruajtën baba Rerxhebit me jetën e tyre.
Në rigjallërimin e kësaj teqeje të bekuar, pas rrënimit të saj në vitet 1914-1915, kontributit të spikatur të baba Rexhebit, i bashkohen edhe fryma e përkushtimi i baba Tahir Hysenit, dervish Kajo Aliut, baba Pajo Hasës etj…, Në këtë mënyrë, teqeja mbijetoi deri në vitin e mbrapshtë 1967, atëherë kur gjoja “lëvizja e rinisë”, e cila sot ngjan me lëvizjen e Haxhi Qamilit, çoi në rrënimin e plotë të objekteve të kultit. Në fillim të viteve 90-të, me kujdesin e drejt për drejtë të myrshidit tonë, dede Reshat Bardhi, me vullnetin e mirë të klerikëve dhe besimtarëve të zonës, këtij vendi të bekuar iu shtua edhe shtëpia e ringritur e Haxhi Bektash Veliut.
Do të veçoja sot kontributin e familjes Tragjini, të Zenelit dje dhe birit të tij, Aliut, sot, të cilët kanë mbajtur në këto vite, një barrë të rëndë mbi supe. Unë doja t’i  falënderoj sot ata përzemërsisht, duke iu lutur Haxhi Bektash Veliut t’u japë paqe, begati dhe nj familje kurdoherë të shëndetshme!

Zoti na bekoftë të gjithëve!
Amin!

KRYEGJYSHI BOTËROR
HIRËSIA E TIJ
HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ

Related posts